Futbollisti nga Bogovina e Tetovës, Liridon Iljazi, pas 6 muajve të kaluar te Sileksi, në këtë merkato të janarit vendosi që sërish të kthehet në vendlindje dhe të veshë fanellën e skuadrës së Renovës.

Ai ishte i pakënaqur me hapësirën që iu dha te skuadra nga KRATOVA, me ç’rast vendosi që të prish kontratën dhe të firmos kontratë një vjeçare me skuadrën nga Xhepçishti.

“Edhe pse kontrata ime me Sileksin ishte deri në vitin 2018-të, unë kërkova që të njëjtën ta ndërpresë për shkak se nuk isha i kënaqur me hapësirën që më ofronte trajneri. Dhe është shumë normale kur nuk arrinë të gjesh veten dhe të kesh suksese,  të ndryshosh skuadër, dhe ashtu bëra. Renova interesohej për mua edhe më herët, ndërsa pasi kishin kuptuar se jam i lirë më kontaktuan dhe u morrëm vesh shumë shpejt rreth kushteve” – tha për “aktuale.mk”,  Liridon Iljazi.

20-vjeçari Iljazi me Sileksin në gjysmësezonin e parë të elitës së futbollit vendor zhvilloi vetëm 11 ndeshje, edhe atë në vetëm dy prej tyre filloi si startues.

Ai në fushë qëndroi vetëm 320 minuta, duke shënuar edhe një gol mjaft të vlefshëm në ndeshjen kundër Rabotniçkit, ku pikërisht goli i tij i shënuar në minutën e 86-të i siguroi fitoren Sileksit. (aktuale.mk)