renova vo tetovo golemaPortieri i Renovës, Suat Zendeli, pas përfundimit të ndeshjes kundër Bregallnicës (0-0), ka treguar për “Lajm” detaje në lidhje me incidentin që ka ndodhur në Shtip, kur një tifoz i skuadrës vendase kishte sulmuar dhe rrahur bashkëlojtarin e tij Dushan Simovski.

“Çka të them, përveç që ka qenë një incident i përmasave të mëdha e që zanafillën e kishte në fillim të ndeshjes. Një pjesë të fajit të madh e mbanë referi i takimit, i cili lejonte futbolistët vendas të zhvillojnë një ndeshje tepër agresive. Lojtari i Bregallnicës Stojanov meritoi kartonin e kuq, por nuk iu dha. Dhe, pas përfundimit të lojës një tifoz i vendasve hyri në fushë dhe grushtoi lojtarin tonë Simovski, ndërsa kur pash një skenë të tillë nuk munda të qëndroj duarkryq dhe intervenuam së bashku me Nuhiun, por na penguan policia”, ka thënë Zendeli, lojtari më i mirë i ndeshjes.

“Incidenti është bartur edhe në tunel gjatë shkuarjes për në dhomat e zhveshjes, kur futbollistët e Bregallnicës kanë nisur të na fyejnë e të na sulmojnë mua dhe bashkëlojtarët e mi, Fisnik Nuhiu e Agron Memedi. Ne nuk mundëm t’i përballojnë ato fyerje dhe nisëm të vetëmbrohemi, ku kujtoj se jemi mbrojtur mirë. Ata kanë kaluar më keq”, rrëfen Zendeli, i cili thotë se nga arbitri është ndëshkuar me karton të kuq.