RENOVA E FITON MIQËSOREN NDAJ SHKUPIT

Renova ka fituar 2:0 Shkupin në një takim kontrollues të zhvilluar sot terenin me bar sintetik te qendra sportive në Tetovë. Takimi foli më shumë për “gjipspunuesit” të cilët triumfuan falë golave të Xhelil Abdulla dhe Emran Ramadanit të shënuar në pjesën e dytë. Pavarësisht rezultatit primare për trajnerët e dy ekipeve ishte të testojnë futbollistët dhe nivelin e tyre në këtë periudhë të fazës përgatitore, ndërsa karakteri i takimit u mundësoi të aktivizojnë edhe talentë të rinjë që përmes këtyre ndeshjeve kërkojnë të nxjerrin pasqyrën e tyre për të ardhmen. Trajneri i Shkupit, Ardian Nuhi nuk aktivizoi në këtë test dy përforcimet e zyrtarizuar një ditë më parë, Bunjamin Shabanin dhe Sedat Berishën. Për Renovën kjo ishte ndeshja e dytë kontrolluese në këtë fazë përgatitore pas barazimit 2:2 me Makedonija Gj.P. të dielën, ndërsa Shkupi kishte testin e parë në këtë periudhë. Të dyja skuadrat në fund të kësaj jave transferohen në Ohër ku do të vijojnë përgatitjet dhe do të zhvillojnë edhe disa ndeshje kontrolluese.